Abuzimi me tenderin 2.8 mld lekë të uniformave të policisë/ Arrestohet ish-drejtoresha e prokurimeve publike dhe 8 zyrtarë e ish zyrtarë!

Abuzimi me tenderin 2.8 mld lekë të…

SPAK vijon të godasë me dorë të hekurt korrupsionin në nivele të zyrtarëve të lartë. Këtë herë SPAK ka ‘mësyrë’ në Ministrinë e Brendshme ku vuri në pranga 9 zyrtarë dhe ish zyrtarë, mes të cilëve 8 në burg dhe 1 në “arrest shtëpie”. Këto arrestime janë bërë në lidhje me tenderin abuziv të  11 majit 2020 në lidhje me uniformat e policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. Mes të arrestuarve është edhe ish-drejtoresha e prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, e cila u shkarkua nga kjo detyrë më 2 korrik, vetëm një javë më parë.

Me kërkesë të prokurorit të SPAK, Dritan Premçi, gjyqtarja e GJKKO, Danila Shirka lëshoi 9 urdhër-arreste, ku pas arrestimit të Naqellarit u arrestuan edhe bashkëpunëtorët e saj anëtarët e njësisë së prokurimit, Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj. Ndërkohë është lënë në ‘arrest shtëpie’ Anisa Bogdani, e cila ishte anëtare e njësisë së prokurimit.

Po ashtu SPAK ka kryer kontrolle edhe në banesat e të arrestuarve. SPAK ka përgjuar dhe vëzhguar 9 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, ndërsa kanë qenë bashkëpunëtorët e drejtësisë ata që kanë ‘zbërthyer’ skemën e abuzimit me tenderin.

Rezulton se ish-drejtoresha e prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari ka ndryshuar çmimet, sasinë dhe cilësinë e uniformave të kërkuara nga Policia e Shtetit dhe ka favorizura fituesin. Sipas përgjimeve të SPAK, këto veprime të paligjshme, Naqellari i ka kryer në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë të arrestuar. Gjatë hetimit janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, ku zyrtarët dhe ish zyrtarët nën akuzë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedure prokurimi, ku fitues u shpallën bashkimi i 4 operatorëve ekonomik, një kompani shqiptare “D&E shpk” me administrator dhe pronar të vetëm, Ismail Kadiun dhe 3 kompanive të huaja “Summer Conf s.r.l”, kompania “Lovers s.r.l”  dhe kompania YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN. TIC.  

Po si u shpallën fituese bashkimi i 4 operatorëve ekonomik ?Në garë fillimisht ishin një kompani kroate dhe një turke, por që të dyja u s’kualifikuan me pretekste të ndryshme edhe pse ofruar 5 miliardë lekë më pak. Më fund në lojë u fut bashkimi i 4 operatorëve ekonomik, një kompani shqiptare “D&E shpk” me pronar, Ismail Kadiun dhe 3 kompanive të huaja “Summer Conf s.r.l”, kompania “Lovers s.r.l”  dhe kompania “YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN. TIC. AS A. VEDAT YAKUPOGLU. që u shpallën fitues të tenderit.

Hetimet tregojnë se ish drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruar Edlira Naqellari dyshohet se ka ushtruar presion ndaj pjesëtarëve të komisionit që të s’kualifikohej kompania e kroate dhe më pas ajo turke dhe të zgjidhej fitues bashkimi i 4 operatorëve ekonomik, “D&E shpk” + “Summer Conf s.r.l”, +“Lovers s.r.l”  + “YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN. TIC. AS A. VEDAT YAKUPOGLU.

Në fakt ky bashkim i 4 operatorëve ekonomik nuk plotësonte një sërë kushtesh teknike dhe kishte mungese dokumentacioni të paraqitur. Gjithashtu abuzimi me tenderin ka ndodhur edhe në  cilësinë, sasinë dhe çmimin e uniformave të policisë.

Përmes abuzimit të Naqellarit dhe bashkëpunëtoreve të saj, fituesit e tenderit do të prodhonin sasi më të ulët, me çmime më të larta dhe duke ulur cilësinë e artikujve të policisë. 

Operacioni i SPAK vjen gati një vit pasi deputetët e opozitës, Myslim Murrizi dhe Halit Valteri kallëzuan në SPAK, më 3 gusht të 2020, tenderin e Ministrisë së Brendshme për uniformat  e policisë me vlerë prej 2.8 miliardë lekë. Ata pretenduan se tenderi i ishte dhënë një kompanie gërmimesh që nuk kishte lidhje me rrobaqepësinë, duke i kërkuar SPAK që të hetojë.

Të arrestuar nga operacioni i SPAK! (Të gjithë të arrestuarit janë me akuzën “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike)

Edlira Naqellari, ish drejtoresha e Prokurimeve Publike

Flutura Çekrezi, anëtare e njësisë së prokurimit

Ani Omuri, anëtare i njësisë së prokurimit

Kleivis Hasani, anëtar i njësisë së prokurimit

Kreshnik Bejkaj, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave

Fatmir Demneri, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave

Mariglen Buzali, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave

Gëzim Mingaj, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave

Arrest shtepie

Anisa Bogdani, anëtare e njësisë së prokurimit.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit