Abuzimi seksual i 13-vjeçares shqiptaro-amerikane në disa qytete: 4 të arrestuar dhe më shumë se 7 persona nën hetim

Abuzimi seksual i 13-vjeçares shqiptaro-amerikane në disa…

Detaje të reja janë zbardhur nga rasti tronditës i 13-vjeçares shqiptaro-amerikane nga Shkodra, e cila u gjet në Tiranë pas disa ditësh kërkimesh, ndërsa dyshohet se është abuzuar seksualisht nga persona të ndryshëm në disa qytete të Shqipërisë.

Deri më tani, në kuadër të hetimeve janë arrestuar të paktën katër shtetas, ndërsa disa të tjerë janë shpallur në kërkim. Sipas informacioneve të publikuara në media, dyshohet se numri i personave të përfshirë mund të jetë shtatë ose më shumë.

Nga verifikimet paraprake, bëhet me dije se 13-vjeçarja ka udhëtuar e vetme në disa qytete, kryesisht me autobus dhe taksi. Fillimisht ajo ka shkuar në Tiranë, më pas në Fier, Gjirokastër, Vlorë, Durrës dhe Burrel, përpara se të rikthehej në kryeqytet.

Hetimet kanë ngritur dyshime se gjatë kësaj periudhe e mitura është abuzuar seksualisht nga persona të ndryshëm. Në disa prej rasteve, dyshohet se personat e përfshirë i kanë dhënë para të miturës.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për identifikimin e të gjithë personave të dyshuar dhe dokumentimin e rasteve të abuzimit. Sipas raportimeve, hetimet po zhvillohen në bashkëpunim mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, ndërsa në proces është përfshirë edhe Ambasada Amerikane.

Aktualisht, 13-vjeçarja ndodhet në një qendër sociale në Tiranë, ku po merr kujdesin e nevojshëm nga psikologët, mjekët dhe punonjësit socialë.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe arrestimin e personave të tjerë të dyshuar.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit