Administrata e gjitha në fushatë, por KAS gjobit Veliajn dhe Margaritin për një takim të padeklaruar

Administrata e gjitha në fushatë, por KAS…

Pas thuajse 6 muaj nga përfundimi i zgjedhjeve të 14 majit, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka gjobitur për shkelje të Kodit Zgjedhor kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, ministren e Kulturës, Elva Margariti dhe drejtoreshën e Teatrit të Operas, Abigeila Vushtina.


Në vendimin e bërë publik nga KAS gjatë ditës së hënë, arsyjeja e gjobitjes së drejtuesve të institucioneve publike lidhet me përdorimin e burimeve publike në favor të fushatës elektorale të Veliajt në zgjedhjet vendore të 14 majit.


Për shkak të shkeljes së Kodit Zgjedhor, Erion Veliaj është gjobitur me 155 000 lekë, ndërsa Ministrja e Kulturës dhe Drejtoresha e Operas, duhet të paguajnë nga 25 mijë lekë secila.
Denoncimi për shkeljet e bëra nga krerët e këtyre institucioneve erdhi nga organizata “Drejtësia Sociale”.

Kjo OJF, denoncoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, një aktivitet të bashkisë dhe ministrisë së Kulturës, i paraportuar sipas ligjit zgjedhor si aktivitet publik nga organizatorët.


Bëhet fjalë për takimin më 4 maj në mjediset e hollit të Teatrit të Operas dhe Baletit me artistë të institucioneve në varësi të Ministrisë së Kulturës dhe drejtues të Teatrit Kombëtar, Teatrit Kombëtar Eksperimental. Po ashtu në këtë takim ishin edhe drejtuesit e institucioneve në varësi të bashkisë Tiranë si Teatrit të Metropolit, Shtëpia Studio Kadare, Galeria e Artit Tiranë etj.


“Ky takim është bërë në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale në një ambient kulturor që është në varësi të Ministrisë së Kulturës,” thuhet në denoncimin e “Drejtësia Sociale”.


Ndërsa Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirian Celibashi, kërkoi gjobitjen e personit përgjegjës në ministrinë e Kulturës për mosraportim të aktivitetit.


Ndërsa KAS vendosi që të gjobisë drejtuesit e institucioneve publike.
Por ajo që bie në sy është se Erion Veliaj gjobitet për një takim formal, ndërkohë që kryebashkiaku i Tiranës përdori të gjithë administratën në zgjedhje, vendosi që të përurojë investime publike gjatë kohës së fushatës.


Rrjetet sociale të punonjësve të Bashkisë së Tiranës, mbusheshin shpërndarje të postime të Erion Veliajt, duke thyer kështu hapur Kodin Zgjedhor, i cili ndalon qartë përdorimin e punonjësve të shtetit në fushata elektorale.


Por duket se KAS, paska parë vetëm një takim formal, si më problematikun e shkeljeve që Erion Veliaj ka bërë gjatë zgjedhjeve të fundit.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit