Administrata fryhet me shefa, bien nëpunësit e thjeshtë

Administrata fryhet me shefa, bien nëpunësit e…

Punësimi në sektorin shtetëror vijoi të zgjerohet edhe gjatë vitit 2025, ndërsa rritja më e madhe u regjistrua në pozicionet drejtuese. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i të punësuarve në administratën shtetërore arriti në 185,386 persona, nga 182,430 një vit më parë, me një shtesë prej 2,956 punonjësish ose 1.6%. Kategoria e “ligjvënësve, nëpunësve të lartë dhe drejtuesve” u rrit me 18% në një vit, duke arritur në 24,244 të punësuar, ndërsa krahasuar me vitin 2021 kjo kategori është zgjeruar me 43%.

Specialistët mbeten grupi më i madh në administratë, me 77,465 të punësuar ose rreth 42% të totalit, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2024. Në të kundërt, numri i teknikëve dhe ndihmës specialistëve ra me 7.3%, ndërsa nëpunësit e thjeshtë u tkurrën në 11,465 persona, rreth 25% më pak se në vitin 2021. Ndërkohë, numri i punëtorëve u rrit në 39,439, niveli më i lartë i pesë viteve të fundit.

Të dhënat sugjerojnë një ndryshim të strukturës së administratës shtetërore, me shtim të pozicioneve drejtuese dhe reduktim të roleve mbështetëse e administrative. Ndërsa procesi i digjitalizimit ka avancuar dhe ka zëvendësuar një pjesë të detyrave teknike, numri i përgjithshëm i punonjësve në sektorin publik ka vijuar të rritet. Zgjerimi i pozicioneve menaxheriale nënkupton gjithashtu rritje të kostove për paga, të cilat financohen nga buxheti i shtetit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit