Pesë persona, mes tyre administratori dhe katër punonjës të “Prestige Resort” në Golem, janë arrestuar nga Policia pasi dyshohet se kanë mbajtur të mbyllur për një kohë të konsiderueshme punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët ndodheshin në resort për ushtrimin e detyrës. Në pranga kanë rënë administratori Sajmir Ndrecaj, shefi i financës Zaho Jaçaj, shefi i sigurisë Artan Kasa, si dhe dy punonjësit e sigurisë Hamid Sula dhe Bujar Agolli. Ngjarja ka ndodhur paraditen e 18 korrikut, kur inspektorët e Tatimeve ishin paraqitur në resort në kuadër të një plani kontrolli që përfshinte disa subjekte ekonomike.
Sipas burimeve nga Policia e Durrësit, grupi i inspektorëve po kryente verifikime mbi aktivitetin ekonomik të subjektit dhe dokumentacionin financiar, me fokus shlyerjen e detyrimeve tatimore. Gjatë kontrollit, ata dyshohet se janë futur në një zyrë nga drejtuesit e resortit dhe më pas janë mbyllur brenda për rreth një orë, pa mundur të dalin. Në këto kushte, punonjësit e Tatimeve kanë arritur të njoftojnë Policinë, e cila ka ndërhyrë dhe ka bërë të mundur lirimin e tyre.
Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se pesë të arrestuarit dyshohen për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin penguan dhe mbajtën të izoluar punonjësit e Task Forcës së Tatimeve gjatë ushtrimit të detyrës. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.