Adriatik Lapaj, drejtuesi i nismës “Shqipëria Bëhet”, nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ambicia për të hyrë në Kuvend. Pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’i dhënë mandatin Kleana Xhuvelit, një prej emrave në listën e mbyllur të koalicionit dhe të afërme e Lapajt, ky i fundit ka depozituar ankimim pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS).
Në kërkesën e tij, Lapaj i kujton KAS-it se më 11 maj, kandidatët e listës së mbyllur kanë paraqitur dorëheqjet e tyre nga kandidimi. Ai i kërkon këtij institucioni të mos pranojë revokimin e mëvonshëm të dorëheqjeve nga Kleana Xhuveli dhe Zeqir Kordhoni, duke argumentuar se, si kandidati më i votuar në listën e hapur, mandati duhet t’i kalojë atij.
Tani pritet që KAS të shqyrtojë çështjen dhe të japë një vendim përfundimtar, i cili do të përcaktojë se kush do të jetë përfaqësuesi i ri i nismës në Kuvend.
Ndërkohë, më 23 korrik, KQZ ka miratuar tabelën përmbledhëse të rezultateve për qarkun e Tiranës, duke bërë zyrtarizimin e mandateve. Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, deklaroi se mandati për koalicionin ku bën pjesë edhe “Shqipëria Bëhet” i takon Kleana Xhuvelit, e renditur e katërta në listën e mbyllur.
Pavarësisht se Lapaj rezultoi kandidati më i votuar preferencialisht, ligji parashikon që renditja në listat e mbyllura mbetet vendimtare për përcaktimin e mandatit, nëse nuk ka dorëheqje të vlefshme. KQZ argumenton se, pavarësisht dorëheqjeve të mëparshme, listat janë të miratuara dhe të pandryshueshme, ndaj mandati i takon kandidatit më të lartë në listën e mbyllur në këtë rast, Kleana Xhuvelit.