Aeroportet e Europës ‘paralizohen’ nga sulmet kibernetike, situata mund të përkeqësohet

Aeroportet e Europës ‘paralizohen’ nga sulmet kibernetike,…

Një valë e fuqishme sulmesh kibernetike ka paralizuar prej ditësh disa nga aeroportet kryesore të Evropës, duke shkaktuar anulime dhe vonesa masive të fluturimeve. Në qendër të krizës ndodhen aeroportet e Berlinit, Brukselit dhe Heathrow në Londër, ku sistemet e regjistrimit dhe hipjes në avionë janë jashtë funksionit.

Sipas Agjencisë Evropiane për Sigurinë Kibernetike (ENISA), bëhet fjalë për një ransomware të shpërndarë përmes një pale të tretë, i cili ka goditur MUSE, një platformë kritike e operuar nga kompania amerikane Collins Aerospace, që furnizon me teknologji aeroporte në mbarë globin.

Pasojat janë të menjëhershme: Aeroporti i Brukselit u detyrua të anulojë gjysmën e fluturimeve të së dielës, ndërsa në Berlin dhe Londër trafiku ajror vijon të jetë i çrregullt. Me sistemet jashtë linje, stafi është kthyer te “manuali i dikurshëm”: regjistrim me dorë i pasagjerëve dhe bagazheve. Rezultati? Radhë të pafundme, nervozizëm dhe kaos në terminale.

Ekspertët paralajmërojnë se ky mund të jetë vetëm fillimi. Profesori i sigurisë kibernetike, Alan Woodward, ngre dyshimet se pas këtij sulmi mund të qëndrojnë aktorë shtetërorë, duke përmendur Rusinë si skenarin më të mundshëm, që vepron përmes grupeve kriminale ndërmjetëse.

Për momentin, autoritetet evropiane flasin me tone të kujdesshme, ndërsa informacionet zyrtare mbeten të kufizuara. Por një gjë është e qartë: gatishmëria është në nivel alarmi dhe frika për sulme të tjera mbetet e hapur.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit