Tenderi prej 365 milionë eurosh për koncesionin 35-vjeçar të aksit rrugor Milot-Balldren është rikthyer në qendër të vëmendjes publike, këtë herë për shkak të hijeve të hetimit nga SPAK që rëndojnë mbi konsorciumin e kompanive fituese.
Projekti që parashikon ndërtimin e 17 kilometrave rrugë me një kosto që arrin në 21.5 milionë euro për kilometër, përfshirë edhe një tunel me dy tuba me gjatësi 850 metra për anashkalimin e Lezhës, u ka kaluar katër kompanive private.
Fitues i garës së shpallur nga Ministria e Infrastrukturës u shpall konsorciumi i përbërë nga shoqëritë “Salillari”, “ALB TIEFBAU”, “InfraKonsult” dhe “ERALD-G”. Megjithatë, dy prej administratorëve të këtyre kompanive rezultojnë të jenë të përfshirë në dosje hetimore të Prokurorisë së Posaçme.
Përveç hijeve të hetimit, marrëveshja vuan nga mungesa e transparencës. Në regjistrin e prokurimeve publike rezulton i publikuar vetëm emri i konsorciumit dhe vlera e parashikuar, ndërsa mungojnë të dhëna kyçe si vlera përfundimtare e kontraktuar, ndarja e aksioneve mes katër kompanive apo plani financiar i ofertës fituese.
Projekti Milot-Balldren mbart një precedent problematik nga e kaluara. Në vitin 2018, ky koncesion iu dha kompanisë “A.N.K.”, por u anulua pas gjetjeve të KLSH-së për shkelje me dokumentacionin financiar dhe pamundësi për plotësimin e kushteve të financimit. Sot, tetë vite më vonë, projekti rikthehet sërish por nën dyshime të reja ligjore e financiare.