Afera e “Tigrave”/ KESH hap tenderin 20 mln euro për e anijet e ndryshkuara në Vlorë

Afera e “Tigrave”/ KESH hap tenderin 20…

Në mes të vapës së korrikut dhe larg vëmendjes së opinionit publik, një nga aferat më të diskutuara energjetike në vend po thellohet me miliarda lekë të tjera nga buxheti i shtetit.

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), e drejtuar nga Viola Haxhiademi, ka hapur zyrtarisht një procedurë prokurimi me një fond limit prej 1.892.000.000 lekësh ose mbi 20.1 milionë euro. Ndryshe nga sa mund të pritej, kjo shumë e konsiderueshme nuk do të përdoret për të prodhuar energji elektrike, por vetëm për “operimin dhe mirëmbajtjen” e dy anijeve gjeneruese, të njohura ndryshe si TEC-et lundruese apo “Tigrat” e Triportit në Vlorë.

Karakatinat pa punë që “hanë” miliona çdo ditë

Marrja me qira e dy TEC-eve lundruese në gjirin e Vlorës konsiderohet prej kohësh si një nga kostot më të rënda financiare për shtetin shqiptar. Që nga dita e ankorimit të tyre në zonën e Triportit, këto impiante kanë prodhuar pak ose aspak energji elektrike, ndërsa faturat e tyre rriten çdo ditë:

  • Shteti paguan çdo muaj qindra mijëra euro vetëm për qiranë e anijeve.

  • Mbi këtë faturë shtohen kostot e karburantit, sigurimit të aseteve dhe pagave të stafit.

  • Me kalimin e kohës, dy anijet kanë filluar të shfaqin edhe shenjat e para të ndryshkut dhe amortizimit, pa dhënë asnjë rezultat konkret në rrjetin energjetik kombëtar.

Prokurimi i ri mbi kufirin e lartë monetar

Sipas dokumenteve të procedurës, objekti i tenderit është “Operim dhe mirëmbajtje e asetit gjenerues Termik, Vlorë”. Bëhet fjalë për një procedurë të hapur mbi kufirin e lartë monetar, ku vlera e parashikuar konsiderohet nga ekspertët e fushës si tejet e fryrë.

Në vend që institucioni qiramarrës të rishikonte dobinë ekonomike të këtyre karakatinave apo të përballej me hetime administrative e gjyqësore, KESH ka zgjedhur të vazhdojë derdhjen e fondit limit prej 20.1 milionë eurosh për mbajtjen e tyre në punë teknike.

Miliona euro edhe për TEC-in e amortizuar në tokë

Situata bëhet edhe më absurde kur krahasohet me mjedisin përreth në Vlorë. Jo shumë larg vendit ku janë akomoduar dy anijet lundruese, qëndron prej vitesh i konservuar edhe TEC-i tokësor i Vlorës, një tjetër projekt që i ka kushtuar buxhetit të shtetit plot 130 milionë euro dhe nuk ka punuar pothuajse kurrë për shkak të defekteve në sistemin e ftohjes.

Sot, shteti shqiptar ndodhet në situatën paradoksale ku paguan miliona euro për të konservuar TEC-in e dështuar në tokë, dhe njëkohësisht derdh dhjetëra miliona euro të tjera për të mbajtur me frymë dy anijet e ndryshkuara në det.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit