Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet e SPAK ndaj biznesmenit Ergys Agasi dhe drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni. Në dëshminë e saj para prokurorëve, Hyseni ka deklaruar se Agasi ka qenë bashkëpunëtor i shërbimit dhe se mes tyre ka pasur komunikime të vazhdueshme përmes telefonit.
Por, sipas akuzës së SPAK, roli i Agasit duket se ka qenë më i gjerë se ai i një bashkëpunëtori të zakonshëm. Në provat e paraqitura në Gjykatë për kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, prokuroria pretendon se Agasi jo vetëm merrte informacion nga SHISH, por edhe i përcaktonte drejtueses së institucionit të dhënat që i nevojiteshin.
Sipas SPAK, komunikimet mes Agasit dhe Hysenit zhvilloheshin përmes aplikacionit “Signal”. Prokuroria ngre gjithashtu pretendimin se për këtë person, të cilin drejtuesja e SHISH e ka cilësuar si bashkëpunëtor, nuk ishte vënë në dijeni asnjë prej strukturave të tjera, qoftë brenda institucionit apo në nivele paralele.
Vlora Hyseni është marrë në pyetje nga SPAK më 18 shtator, pas gjetjes në automjetin e biznesmenit Ergys Agasi të nëntë faqeve të printuara me të dhëna të klasifikuara të SHISH.
Burime bëjnë me dije se gjatë marrjes në pyetje, Hyseni ka pranuar se kishte komunikuar në mënyrë të vazhdueshme me Agasin deri në ditën e arrestimit të tij. Ajo ka deklaruar se e konsideronte atë bashkëpunëtor të SHISH.
Sa i përket materialeve dhe diagrameve të SHISH të gjetura në automjetin e Agasit, Hyseni mësohet t’u ketë thënë prokurorëve se do të kthente përgjigje me shkrim lidhur me përmbajtjen dhe rrethanat e tyre.