
Ish-kryetari i Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku, ka fituar një betejë ligjore kundër institucioneve shtetërore, pas një vendimi të Gjykatës Administrative të Tiranës që e cilëson shkarkimin e tij nga detyra si të padrejtë.
Kajmaku, i shkarkuar në nëntor të vitit 2019 në bazë të ligjit të dekriminalizimit, ka arritur të përfitojë kompensim për të gjitha pagat që do t’i takonin për një mandat të plotë 4-vjeçar, edhe pse në realitet ka qëndruar vetëm 3 muaj në postin e kryebashkiakut të Vorës.
Përveç pagesës së pagave nga Bashkia Vorë dhe Këshilli i Qarkut Tiranë, gjykata ka urdhëruar edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të paguajë 15 mijë euro si kompensim moral për vetë Kajmakun, si dhe nga 7 mijë euro për bashkëshorten dhe djalin e tij, për dëmet emocionale të shkaktuara nga situata.
Shkarkimi i Kajmakut ndodhi pasi Prokuroria e Përgjithshme zbuloi se ai kishte përdorur identitetin Jorgo Toto gjatë qëndrimit të tij në Greqi, një person i dënuar për falsifikim të monedhës, fakt që nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit, siç kërkon ligji.
Në atë periudhë, kryeministri Edi Rama e kishte mbështetur vendimin e KQZ, duke e cilësuar si një shembull të integritetit institucional dhe duke theksuar se Partia Socialiste nuk mund të toleronte askënd që shkel ligjin.
“KQZ tregoi sërish se është një institucion në mbrojtje të ligjit dhe interesit publik, dhe jo një vegël në shërbim të partive si në të kaluarën. Po ashtu, Partia Socialiste konfirmoi se nuk është strehë për këdo që shkel ligjin dhe besimin tonë,” shkroi Rama në atë kohë në një postim në Twitter.