Agjelina hyri për t’i ndarë por plumbat nuk kursyen as instiktin e një nëne

Agjelina hyri për t’i ndarë por plumbat…

Në një ditë që duhet të ishte e zakonshme, në një cep të shenjtë të qytetit të Laçit, u regjistrua një ngjarje që tronditi themelet e humanitetit dhe ndërgjegjes shoqërore. Pesë të plagosur është bilanci i një atentati që nisi nga një sherr banal mes të rinjve dhe përfundoi me tragjedi  jo vetëm për ata që ishin objektivi i ngjarjes, por edhe për të pafajshmit që nuk kishin lidhje me konfliktin.

Mes të plagosurve është edhe një grua 58-vjeçare, Angjelina Gjezaj, e njohur në atë zonë si shitësja modeste e qirinjve pranë Kishës së Laçit. Një grua e thjeshtë, që çdo ditë qëndronte buzë rrugës me shpresën se me shitjen e disa qirinjve, do të bënte mirë. Një simbol i durimit dhe përkushtimit.

Sipas informacioneve, Angjelina dyshohet se ka ndërhyrë në përpjekje për të ndarë të rinjtë që po konfliktoheshin. Me instinktin e një nëne, ajo mund të ketë menduar se një fjalë e butë, një thirrje njerëzore, mund të ndalonte egërsinë. Por nuk ndodhi kështu. Autorët nuk kursyen askënd, as atë që nuk kërkoi gjë tjetër veçse paqe. Një plumb e goditi në këmbë, duke i ndryshuar jetën dhe duke lënë pas një pyetje që rëndon mbi ne të gjithë çfarë shoqërie po ndërtojmë?

Angjelina ishte aty për të ofruar dritë, qirinj për njerëzit që kërkojnë shpresë dhe falje në një vend të shenjtë. Ironikisht, ajo vetë u bë viktimë e një realiteti të dhunshëm, në një vend ku as njerëzit më të thjeshtë nuk janë të sigurt.

Kjo ngjarje është më shumë se një kronikë dhune. Është një kambanë alarmi. Një nënë u plagos sepse pati guximin të ndërhynte, sepse pati zemrën të thoshte “ndal”. Dhe për këtë, ajo pagoi me gjak.

Nëse një nënë që shet qirinj në hyrje të një kishe nuk gjen mëshirë, kush do ta gjejë në këtë vend mizor?

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit