Ahmetajt i skadon mandati në arrati, emri që pritet ta zëvendësojë

Ahmetajt i skadon mandati në arrati, emri…

Ndonëse kryeministri Edi Rama u mundua të mos e “zhveshë” nga kostumi i deputetit, Arben Ahmetajt po i skadon mandati. Sipas Kushtetutës, konkretisht nenit 71, pika 2, germa d, mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur mungon 6 muaj rresht në Kuvend. Hera e fundit që Ahmetaj është shfaqur në Kuvend është seanca e 6 korrikut, vetëm 7 ditë para se të votohej në Kuvend dhënia e autorizimit për arrestimin e tij.

Që në momentin që SPAK lëshoi urdhrin e arrestit, Ahmetaj nuk mori asnjë vendim për të hequr dorë vullnetarisht nga mandati dhe as kolegët e tij në grupin e PS nuk morën asnjë vendim për ta përjashtuar nga grupi. Por 6 muaj nga largimi i tij, Kushtetuta detyron ndërprerjen e mandatit e deputetit për ish zv kryeministrin.

Ahmetaj ndodhet në arrati, ku herë pas here reagon në rrjetet sociale, duke hedhur se ai po sulmohet politikisht. Mbi të rëndojnë akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me skandalin e inceneratorëve. Më 20 korrik SPAK lëshoi urdhër arresti për të, ndërsa disa ditë më vonë u shpall në kërkim ndërkombëtar. 

Por tashmë në këto kushte, Kuvendi do të duhet të konstatojë pavlefshmërinë e mandatit pas kthimit nga pushimet dhe të njoftojë KQZ-në me vakancën, ndërsa institucioni i zgjedhjeve të bëjë zëvendësimin sipas rezultateve të zgjedhjeve të 2021 në qarkun e Tiranës. Ahmetaj në zgjedhjet e fundit parlamentare u zgjodh deputet me 11.287, duke u renditur në top listën e 5 më të votuarve të PS në këtë qark.

Sipas renditjes së kandidatëve të PS-së për Qarkun Tiranë, mandatin e Ahmetaj do duhet ta marrë Dallëndyshe Bici, e cila nga vota preferenciale fitoi 4977 vota dhe u rendit e 21-ta në listën e kandidatëve të PS për Tiranën. Por pritet që Bici, aktualisht drejtoreshë e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, të mos e pranojë mandatin, kështu automatikisht do i kalojë juristit Plarent Ndreca i cili ka siguruar në zgjedhjet e vitit 2021, 4008 vota në Tiranë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit