AI një kërcënim për vendet e punës dhe ekonominë

AI një kërcënim për vendet e punës…

Inteligjenca artificiale mund të sjellë rritje të jashtëzakonshme të produktivitetit, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të zgjerojë ekonominë kapitaliste. Ky është argumenti i ngritur në një analizë të publikuar nga Project Syndicate, ku theksohet se debati mes optimistëve dhe pesimistëve për AI-në fokusohet kryesisht te madhësia e përfitimeve të ardhshme në produktivitet. Sipas autorit, të dyja palët bien në atë që ai e quan “iluzioni i produktivitetit të AI-së”, pasi produktiviteti nuk duhet parë vetëm si numri i detyrave të kryera për njësi pune njerëzore.

Sipas analizës, revolucione të mëparshme teknologjike, nga motori me avull te automobili dhe kompjuteri personal, shkatërruan profesione, por njëkohësisht krijuan sektorë dhe vende të reja pune, duke zgjeruar tregjet dhe prodhimin. AI-ja, argumenton autori, mund të ndjekë një rrugë tjetër, veçanërisht në ekonomitë perëndimore ku përdorimi i saj përqendrohet kryesisht në shërbime. “Nëse me produktivitet kuptojmë detyrat e kryera për njësi pune njerëzore, nuk ka kurrfarë dyshimi se AI-ja do të jetë një sukses i jashtëzakonshëm”, shkruhet në analizë, ndërsa shtohet se matja përmes vlerës monetare të prodhuar për njësi pune mund të çojë në një përfundim shumë më negativ.

Një shqetësim tjetër i ngritur është përqendrimi i fuqisë ekonomike te kompanitë dhe pronarët e kapitalit teknologjik. Sipas autorit, ndërsa AI-ja automatizon gjithnjë e më shumë punë dhe integrohet në platformat digjitale, tregjet mund të tkurren dhe fitimet të shndërrohen në “renta cloud”. Në këtë skenar, produktiviteti mund të rritet ndjeshëm në aspektin teknik, ndërsa pagat dhe vlera monetare e shpërndarë në ekonomi mund të përballen me presion. Përfundimi i analizës është se pyetja kryesore nuk është vetëm nëse AI-ja do të rrisë produktivitetin, por “më shumë çfarë?” dhe kush do të përfitojë nga kjo rritje.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit