Air Albania nuk paguan 5 mln euro ushqime

Air Albania nuk paguan 5 mln euro…

Gjykata e Apelit i kërkon “Air Albania” të shlyejë mbi 5 milionë euro detyrime ndaj furnitorit të ushqimit në bord

Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur që shoqëria ajrore “Air Albania” duhet të paguajë një shumë prej rreth 5 milionë eurosh ndaj një kompanie furnizuese të ushqimit për pasagjerët. Vendimi i marrë më 13 maj 2025 ende nuk është pasqyruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Bëhet fjalë për një kompani nga Lushnja, e cila ka ofruar shërbime kateringu për “Air Albania” që prej vitit 2019. Sipas të dhënave, gjatë viteve 2022-2024 kjo kompani ka lëshuar të paktën 10 fatura që arrijnë një vlerë totale prej mbi 500 milionë lekësh.

Përkundër faktit që faturat janë pranuar në sistemin e brendshëm të pagesave të “Air Albania”, kompania ajrore nuk ka kryer asnjë pagesë. Në dhjetor 2024, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e kompanisë furnizuese dhe lëshoi urdhrin e ekzekutimit për faturat e pashlyera.

Megjithatë, “Air Albania” reagoi duke kërkuar pezullimin e këtij vendimi. Në arsyetimin e paraqitur para gjykatës, kompania pretendoi se është mbifaturuar me rreth 1.8 milionë euro dhe se pagesa e menjëhershme do e çonte në vështirësi të rënda financiare.

Kompania ajrore theksoi se pranimi i faturave ishte bërë në mirëbesim, por pas një verifikimi të brendshëm, kishte zbuluar se shuma e faturuar ishte më e lartë se shërbimet e marra. Për këtë arsye, “Air Albania” vendosi të mos i paguajë këto detyrime deri në një zgjidhje të plotë të mosmarrëveshjes.

Gjykata e Tiranës, fillimisht, pranoi kërkesën për pezullim. Por, me vendim të formës së prerë të datës 13 maj 2025, Gjykata e Apelit e rrëzoi këtë vendim dhe urdhëroi shlyerjen e të gjitha detyrimeve financiare.

Pavarësisht këtij vendimi përfundimtar, në regjistrat e Qendrës Kombëtare të Biznesit nuk figurojnë as vendimi fillestar i Gjykatës së Tiranës dhe as ai i Apelit. I vetmi vendim i pasqyruar është ai për pezullimin e pagesave, i marrë në janar 2025.

Kjo mospërputhje në të dhënat zyrtare ngre pikëpyetje për transparencën e institucioneve dhe sugjeron një përpjekje për të fshehur gjendjen reale financiare të “Air Albania”, një kompani që është përmendur shpesh për lidhjet e saj me qeverinë, përfshirë ofrimin e avionit personal për kryeministrin Edi Rama.

Për momentin, çështja është në shqyrtim nga Gjykata e Lartë, ndërkohë që borxhi ndaj furnitorit lushnjar mbetet ende i papaguar, në pritje të një zgjidhjeje përfundimtare në sistemin e drejtësisë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit