Bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Ajola Xoxa, i është drejtuar gjykatës me kërkesë për pezullimin e procesit gjyqësor ndaj saj, duke argumentuar se ndodhet në periudhën e lejes së lindjes pas ardhjes në jetë të fëmijës së dytë.
Xoxa u bë nënë për herë të dytë më 29 qershor, kur solli në jetë një djalë. Lajmi për lindjen u bë publik në të njëjtën kohë kur vijon procesi gjyqësor ndaj saj dhe Erion Veliajt në Gjykatën e Posaçme.
Në kërkesën e paraqitur, mbrojtja e Ajola Xoxës kërkon që shqyrtimi i çështjes të pezullohet për shkak të lejes së lindjes dhe kujdesit ndaj të porsalindurit.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kundërshtuar kërkesën, duke argumentuar se legjislacioni nuk parashikon pezullimin e një procesi gjyqësor për këtë arsye.
Çështja ndaj Ajola Xoxës dhe Erion Veliajt vijon të jetë në proces gjykimi në GJKKO, ku ata përballen me akuza të ngritura nga SPAK. Të pandehurit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.