Akademia e Shkencave: Imunizohet nga Covid-19 73% e popullsisë në Tiranë

Akademia e Shkencave: Imunizohet nga Covid-19 73%…

Akademia e Shkencave në Tiranë ka publikuar një tjetër studim, ku sipas të cilit 73% e popullsisë në Tiranë është e imunizuar nga Covid-19.

Ky është rezultati i studimit të fazës së tretë i cili është kryer në grupmoshën nga 20 deri në 75 vjeç. Sipas Akademisë duhet diskutuar nevoja e një doze të tretë vaksine për përforcim tek moshat mbi 60 vjeç. Akademia bën thirrje të planifikohet dhe rekomandohet vaksinimi i të rinjve mbi moshën 12 vjeç me vaksina të miratuara për këto mosha.

“Në Fazën e tretë të studimit që filloi më 16 qershor 2021 deri 23 korrik 2021 u thirrën për testim 1527 banorë të moshës 20 deri 75 vjeç, të cilët u përzgjodhën në mënyrë krejt të rastësishme nga listat e regjistrave të mjekëve të familjes. Seroprevalenca e përgjithshme e antitrupave IgG specifike anti S1-SARS-CoV-2 rezultoi 73.3%. Sipas të gjitha gjasave, kjo përqindje pasqyron gjendjen imunitare të popullatës shqiptare pas valës se tretë të COVID-19 që u shkaktua nga variant Alfa dhe përpara valës aktuale Delta. Nga kjo mund të konkludojmë se aktualisht nevojitet një imunizim i shpejtë vaksinal i të paktën 20% të popullatës shqiptare akoma të pavaksinuar me qëllim arritjen e pragut të ri të imunitetit kolektiv që vlerësohet në rreth 90% të popullatës për variantin Delta.

Për të parandaluar riinfektimet te individët e vaksinuar apo që e kanë kaluar infeksionin mbi 6 muaj përpara, diskutohet kryerja e një doze përforcuese vaksine në moshat mbi 60 vjeç, si dhe në ata me sëmundje shoqëruese imunodeprimuese. Kjo është në përputhje me rekomandimet aktuale shkencore ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Akademisë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit