
Pacientët me sëmundje tumorale janë detyruar të ndërpresin trajtimin me rrezatim pranë spitalit të Onkologjikut për shkak të një defekti në pajisjen e radioterapisë. Akseleratori Linear 2, një nga pajisjet për trajtimin me rrezatim të tumoreve ka dalë jashtë funksionit prej disa ditësh, duke shkaktuar vonesa të mëdha në terapinë e pacientëve që ndodhen në faza të ndryshme të sëmundjes.
Ndërprerja e shërbimit ka krijuar shqetësim tek të sëmurët dhe familjarët e tyre, ndërsa mungesa e transparencës mbi kohën e rikthimit në funksion të aparaturës shton pasigurinë. Autoritet shëndetësore nuk kanë dhënë një afat për zgjidhjen e problemit, teksa rrezikohet seriozisht ecuria e trajtimit dhe shëndetit të pacientëve. Aktualisht, vetëm një akselerator është funksional, çka nuk është e mjaftueshme për të përballuar fluksin e pacientëve që vijnë nga i gjithë vendi për trajtim.
Akseleratori i dytë linear vjen si një investim prej 1.2 milionë euro i qeverisë shqiptare dhe Agjencisë Atomike të Vjenës dhe u vendos në funksion tetor të 2019 në një inaugurim nga Kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, asokohe, Ogerta Manastirliu. Premtimet nga ministrja e shëndetësisë aktuale Albana Koçiu për investime në pajisje dhe shërbimit te onkologjiku janë të mëdha, por kanë mbetur vetëm premtime boshe.