Një aksident fatal ka ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në autostradën Levan–Tepelenë, pranë “Rrethrrotullimit të Levanit”. Në aksident janë përfshirë dy automjete, një “Audi” dhe një “Benz”, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën.
Si pasojë e përplasjes së fortë, ka humbur jetën drejtuesi i automjetit tip “Audi”. Trupi i viktimës është transportuar drejt morgut, ndërsa në vendngjarje ndodhen forcat e Policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e rrethanave dhe dinamikës së aksidentit.
Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara, çka mund ta ketë bërë të pamundur manovrimin e mjeteve nga drejtuesit. Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë dhe shkaqet e plota të ngjarjes.