Një aksident i rëndë me vdekje ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën Durrës-Tiranë, ku janë përfshirë pesë automjete. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:20, ndërsa 45-vjeçari H. B. është përplasur me një kamion dhe, si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje.
Pas përplasjes fillestare, në aksident janë përfshirë edhe tre automjete të tjera. Si pasojë, pesë pasagjerë kanë mbetur të lënduar, por sipas Policisë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në aksident janë përfshirë edhe drejtuesit G. L., 59 vjeç, dhe J. I., 34 vjeç.
Ndërkohë, shtetasja A. V., e cila dyshohet se drejtonte një prej automjeteve të përfshira në aksident, është larguar nga vendngjarja, por më pas është shoqëruar nga Policia për të sqaruar rrethanat. Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.