
Një aksident tragjik ka ndodhur pak minuta më parë në rrugën e vjetër Thumanë-Fushë Krujë, ku për pasojë një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Borizanë, ku në të janë përfshirë dy automjete tip “Benz”. Njëra prej makinave drejtohej nga Malvina Kani, ndërsa mjeti tjetër nga Idriz Saja dhe si pasagjerë kishte Lindita Saja dhe Bedrie Saja.
Si pasojë e përplasjes raportohet se Bedrie Saja ka ndërruar jetë, ndërsa personat e tjerë të përfshirë në ngjarje janë nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës. Personat e përfshirë në aksident janë me banim në zonën e Fushë-Krujës.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur rrethanat e këtij aksidenti të rëndë.
Njoftimi i policisë:
Fushë Krujë/Informacion paraprak
Rreth orës 11:00, në aksin rrugor “Fushë Krujë – Borizanë”, automjeti me drejtuese shtetasen M. K., rreth 30 vjeçe, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin I. S., rreth 50 vjeç.
Si pasojë ka humbur jetën pasagjerja në automjetin me drejtues shtetasin I. S., nëna e tij, shtetasja B. S., rreth 85 vjeçe, si dhe janë dëmtuar 2 drejtuesit e automjeteve dhe pasagjerja tjetër në automjetin me drejtues shtetasin I. S., të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.