Pesë persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur Subash. Në aksident janë përfshirë tre automjete, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Pas ngjarjes, në vendin e aksidentit kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e përplasjes.
Ende nuk dihen detaje mbi mënyrën se si ndodhi aksidenti, ndërsa policia po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.