Aksident me vdekje në aksin Lushnjë–Rrogozhinë

Aksident me vdekje në aksin Lushnjë–Rrogozhinë

Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar mëngjesin e së hënës, 13 korrik, në aksin rrugor Lushnjë–Rrogozhinë. Viktima është Bajame Ramazani, rreth 75 vjeçe, e cila humbi jetën pasi u përplas nga një automjet tip fuoristradë “Kia” teksa po tentonte të kalonte në këmbë trafikndarësen për të dalë në krahun tjetër të autostradës.

Sipas të dhënave paraprake, e moshuara ka hyrë në rrugë në një zonë ku kalimi i këmbësorëve nuk lejohet, ndërsa drejtuesi i automjetit nuk ka arritur të shmangë përplasjen. Si pasojë e goditjes së fortë, 75-vjeçarja ka ndërruar jetë në vendngjarje. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e aksidentit dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

Aksi Lushnjë–Rrogozhinë konsiderohet një nga segmentet më problematike për aksidentet rrugore. Pavarësisht ndërtimit të mbikalimeve për këmbësorët në hyrje të fshatrave, shumë banorë vijojnë të kalojnë autostradën në mënyrë të paligjshme, duke rrezikuar jetën e tyre dhe duke shkaktuar ngjarje tragjike si kjo.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit