Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e kësaj të diele në aksin Fier-Libofshë, në fshatin Agim, ku si pasojë ka mbetur i plagosur një person. Sipas informacioneve paraprake, një autobot që transportonte qumësht është përplasur me një motomjet. Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar dëmtime trupore te drejtuesi i motorit. I plagosuri është transportuar drejt spitalit për të marrë ndihmën e parë mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore. Autoritetet po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit dhe shkakun e saktë të përplasjes. Ndërkohë, pritet të bëhen të ditura detaje të reja lidhur me gjendjen shëndetësore të drejtuesit të motomjetit.