Aksident në Cërrik, përplasen dy automjete, dyshohet për dy viktima

Aksident në Cërrik, përplasen dy automjete, dyshohet…

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e kësaj të marte në fshatin Qyrkan, në Njësinë Administrative Gostimë të Bashkisë Cërrik, ku dy automjete janë përplasur ballë për ballë.

Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka qenë tepër e fortë, duke shkaktuar dëme të mëdha në të dy mjetet. Njëri prej automjeteve ka dalë jashtë rruge pas impaktit, ndërsa pamjet nga vendngjarja tregojnë se të dyja mjetet janë shkatërruar pothuajse plotësisht.

Burime paraprake bëjnë me dije se si pasojë e aksidentit dy persona dyshohet se kanë humbur jetën, ndërsa pritet konfirmimi zyrtar nga autoritetet.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ekipet e emergjencës dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet e nevojshme për dokumentimin e plotë të rastit dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.

Deri në këto momente nuk dihet ende dinamika e saktë e përplasjes. Hetuesit po shqyrtojnë të gjitha pistat, ndërsa pritet që ekspertiza të sqarojë rrethanat që çuan në këtë ngjarje tragjike.

JOQ Albania do t’ju mbajë të përditësuar sapo të ketë informacione të reja nga autoritetet.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit