Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të diele në aksin Tepelenë–Krahës, në vendin e njohur si “Mogila”, ku janë përfshirë dy automjete. Ngjarja ka ndodhur si pasojë e përplasjes mes një automjeti dhe një taksie që po qarkullonin në këtë segment rrugor.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti i drejtuar nga 67-vjeçari me inicialet K.Ç., banues në Elbasan, është përplasur me taksinë që drejtohej nga 28-vjeçari me inicialet K.R., banues në Tiranë. Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në të dy mjetet.
Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të lënduar drejtuesi i taksisë dhe tre pasagjerë që ndodheshin në automjet. Të plagosurit janë transportuar menjëherë drejt Spitalit Rajonal të Gjirokastrës, ku po marrin ndihmë mjekësore dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë, policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.