Aksidentet në punë vijojnë të shkaktojnë dhimbje në Shqipëri, 4 viktima në një muaj

Aksidentet në punë vijojnë të shkaktojnë dhimbje…

Incidentet në punë dhe mosrespektimi i masave të sigurisë teknike vijojnë të marrin jetë njerëzish në Shqipëri!

Vetëm gjatë ditës së djeshme dy shqiptarë humbën jetën në vendin e punës, teksa një tjetër mbeti i lënduar dhe u nis me helikopter në spitalin e traumës.

Fatkeqi i parë ishte 29-vjeçari Armand Peshku nga Martaneshi, i cili po punonte në minierën e Thekës si çdo ditë duke nxjerrë minerale me vagon. Një masiv minerar u shkëput duke e zënë poshtë dhe marrë jetën në vend, teksa i lënduar mbeti kolegu i tij Hajdar Bala i cili u dërgua në spitalin e traumës.

Pak orë pas ngjarjes së rëndë të minierës, një tjetër aksident në punë me pasoja fatale për jetën e një 24-vjeçari do të raportohej nga një gurore në fshatin Brataj të Selenicës. Jurgen Veshi teksa ka qenë duke punuar me skrep është dëmtuar nga gurët dhe për pasojë ka ndërruar jetë.

Këto nuk janë ngjarjet e vetme që kanë tronditur vendin dhe bëjnë që familjarët e punëtorëve të rinë me zemrën në ankth, nëse të afërmit e tyre do të kthehen apo jo shëndoshë e mirë në shtëpi pas pune.

Kujtojmë se vetëm dy javë më parë dy punëtorë ndërtimi Preng Gjoni 50-vjeç dhe Emiliano Frroku 28-vjeç, humbën jetën në kantierët e ndërtimit në Shëngjin.

Për këto raste reagimi i institucioneve dhe kontrolli i ushtruar nga Inspektorati i Punës nëpër kantierë të tjerë pune për të parandaluar raste të ngjashme ka qenë zero.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit