Pesë nga 12 personat e plagosur që u transportuan në Spitalin Universitar të Traumës pas aksidentit të rëndë të së martës në autostradën Durrës-Tiranë kanë dalë nga spitali gjatë ditës së sotme, ndërsa një tjetër pritet të largohet në orët në vijim.
Të plagosurit ishin pasagjerë të një minibusi të linjës Berat-Tiranë, i cili doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal anësor pranë hyrjes në kryeqytet. Drejtuesi i mjetit, 36-vjeçari Redion Hasimi, humbi jetën në vendngjarje. Dyshimet paraprake janë se ai pësoi një infarkt gjatë drejtimit të mjetit, duke humbur kontrollin mbi timon.
Sipas informacionit zyrtar nga Spitali i Traumës, një fëmijë 8-vjeçar vijon të trajtohet në repartin e reanimacionit dhe paraqitet me parametra jetësorë të qëndrueshëm. Në të njëjtin repart ndodhet edhe një grua 56-vjeçare, shtetase çeke me origjinë vietnameze, e cila mbahet nën monitorim intensiv. Mjekët bëjnë me dije se, megjithëse parametrat jetësorë janë stabël, gjendja e saj mbetet e rëndë për shkak të dëmtimeve të shumta.
Ndërkohë, një 14-vjeçar ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohet në pavion për dëmtime në gjymtyrët e poshtme.
Tre të plagosur të tjerë, të cilët iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale gjatë ditës së djeshme, mes tyre edhe një 20-vjeçare shtetase çeke me origjinë vietnameze, vazhdojnë të qëndrojnë nën kujdes intensiv. Sipas mjekëve, gjendja e tyre është stabilizuar, por monitorimi do të vijojë.
Shkaku i saktë i aksidentit pritet të përcaktohet nga ekspertiza mjekoligjore. Megjithatë, hetimet paraprake tregojnë se 36-vjeçari, i cili përshkonte pothuajse çdo ditë itinerarin Tiranë-Berati, nuk kishte humbur kontrollin për shkak të shpejtësisë.
Verifikimet e Policisë Rrugore kanë konfirmuar se në segmentin ku ndodhi aksidenti, ku kufiri maksimal i lejuar është 100 km/h, minibusi po lëvizte me shpejtësi më të ulët se limiti i lejuar. Gjithashtu, drejtuesi i mjetit nuk rezultonte me precedentë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor apo si drejtues problematik.