Ka ndërruar jetë turistja 20-vjeçare vietnameze Thi Hue Van, e cila u plagos rëndë në aksidentin e ndodhur pak ditë më parë në aksin Durrës–Tiranë, ku një minibus që udhëtonte nga Berati u përfshi në një aksident të rëndë.
JOQ ALBANIA ka mësuar se e reja ndodhej e shtruar në Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku po merrte trajtim intensiv për shkak të dëmtimeve të rënda të pësuara. Fillimisht, familjarët e saj kishin bërë apel për ndihmë, pasi ajo kishte nevojë urgjente për transfuzion gjaku të grupit O.
Sipas familjarëve, Thi Hue Van kishte humbur njërën këmbë si pasojë e plagëve të marra dhe gjendja e saj mbetej kritike. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo nuk ka mundur të mbijetojë.
Aksidenti i rëndë ndodhi me një minibus të linjës Berat–Tiranë, ku humbi jetën edhe drejtuesi i mjetit, 36-vjeçari Redion Hasimi, ndërsa disa pasagjerë të tjerë mbetën të plagosur.
Ngjarja ka tronditur familjarët e viktimave dhe komunitetin, ndërsa vijojnë hetimet për shkaqet e aksidentit.