Tre të rinj nga Fieri kanë humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur në një aksident tragjik të ndodhur në Glyfada të Athinës, në orët e para të mëngjesit të së enjtes.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 02:00, në kryqëzimin e bulevardit Poseidonos me rrugën Kalypsous. Automjeti me të cilin udhëtonin pesë të rinjtë doli nga rruga dhe u përplas me murin rrethues të një hoteli.
Përplasja ishte fatale për tre prej tyre, ndërsa dy të mbijetuarit, të dy 18 vjeç, u dërguan me urgjencë në spital. Njëri prej tyre raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas mediave greke, një nga pistat që po hetohet është ajo e një gare shpejtësie me një automjet tjetër. Po ashtu, dyshohet se të rinjtë mund të kenë qenë duke regjistruar një video për TikTok në momentin e aksidentit, madje nuk përjashtohet mundësia që në video të jetë fiksuar edhe momenti tragjik.
Megjithatë, deri më tani policia greke nuk ka gjetur prova që konfirmojnë përfshirjen e një automjeti të dytë.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe po marrin dëshmi për të zbardhur të plotë rrethanat e aksidentit që u mori jetën tre të rinjve nga Fieri.