Një aksident i rëndë me pasoja fatale ka ndodhur në qytetin e Malagas, ku humbën jetën një nën-inspektor 48-vjeçar i Policisë Kombëtare Spanjolle dhe tre shtetas të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal shqiptar. Ngjarja u parapri nga një përpjekje për grabitje në një farmaci në lagjen Puerto de la Torre, ku tre persona tentuan të grabisin, por pasi dështuan, u larguan me shpejtësi me një automjet të fuqishëm.
Policia vendore dhe ajo kombëtare reaguan menjëherë duke nisur ndjekjen e tyre. Gjatë arratisë, grabitësit morën një kthesë të gabuar dhe u futën në drejtim të kundërt në autostradën A-7, duke u përplasur ballazi me makinën e nën-inspektorit, i cili nuk ishte pjesë e ndjekjes, por po kthehej në shtëpi pas një turni nate. Përplasja e fuqishme shkaktoi shpërthimin në flakë të të dy automjeteve.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve dhe shërbimeve emergjente, të katër personat ndërruan jetë. Trupat e grabitësve u gjetën pa shenja jete në makinën e tyre, ndërsa polici u nxor nga mjeti i djegur, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të rënda. Hetimet për ngjarjen po drejtohen nga Departamenti i Trafikut i Gardës Civile.
Nën-inspektori ishte baba i dy fëmijëve dhe kishte mbi dy dekada në shërbim. Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik në Spanjë, ndërsa autoritetet kanë shprehur ngushëllimet për familjen dhe kolegët e tij.