Kosovë: Aksion masiv kundër trafikimit dhe prostitucionit, identifikohen 174 shtetase nga Shqipëria në lokale dhe qendra masazhi

Kosovë: Aksion masiv kundër trafikimit dhe prostitucionit,…

Një operacion i gjerë policor është zhvilluar në të gjithë Kosovën në kuadër të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, ku janë identifikuar 174 shtetase nga Shqipëria në lokale me muzikë live dhe qendra masazhi.

Operacioni i koduar “Vjeshta 2026” u zhvillua nga 3 deri më 17 nëntor, nën drejtimin e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në bashkëpunim me disa institucione dhe njësi të Policisë së Kosovës.

Gjatë kontrolleve në 40 lokale me muzikë live u identifikuan 285 persona, 223 femra dhe 62 meshkuj. Prej tyre, 168 ishin shtetas të huaj, përfshirë 155 gra nga Shqipëria, 9 nga Serbia, 3 nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Kolumbia.

Kontrollet u shtrinë edhe në 62 qendra masazhi, ku u identifikuan 120 persona, mes tyre 94 femra dhe 26 meshkuj. Në këto ambiente u konstatuan 47 shtetas të huaj, përfshirë 19 gra nga Shqipëria, 27 nga Tajlanda dhe një nga Serbia.

Si rezultat i inspektimeve, 8 lokale me muzikë live dhe 7 qendra masazhi u mbyllën për shkelje administrative, duke e çuar në 15 numrin e bizneseve të mbyllura.

Gjatë operacionit u evidentuan edhe katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion”, të lidhura me aktivitetin e eskortës. Për këto raste u arrestuan 8 persona: katër burra, tre shtetas të Kosovës dhe një i Shqipërisë, si dhe katër gra, një nga Brazili dhe tri nga Kolumbia.

Për personat e përfshirë u dorëzuan fletëparaqitje në gjykatë dhe u shqiptuan gjoba. Ndërsa ndaj shtetaseve të huaja u vendosën edhe masa dëbimi nga Kosova dhe ndalim hyrjeje për periudha nga 6 muaj deri në 3 vjet.

Policia bëri të ditur se të gjitha grave të identifikuara në këto ambiente iu dha mundësia të deklaronin nëse ishin viktima të shfrytëzimit apo trafikimit të qenieve njerëzore.

Megjithatë, sipas autoriteteve, nga ky operacion nuk u identifikua asnjë rast i trafikimit të qenieve njerëzore.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit