Aksioni kundër informalitetit, që ka për synim të rrisë transparencën e pagave dhe të sigurojë mbledhjen e saktë të taksave dhe kontributeve, ka marrë një përgjigje pozitive nga 9,000 biznese, të cilat kanë rritur deklarimin e pagave të punonjësve. Por a mund të konsiderohet ky ndryshim si një fitore për Administratën Tatimore, apo është thjesht një fazë kalimtare?
Rreth 37,331 biznese ende nuk kanë reaguar, duke treguar se informaliteti nuk është një fenomen që mund të zhduket me kërcënimet me burg që bën qeveria.
Ironia e këtij procesi qëndron në faktin se, ndërsa Administrata Tatimore kërkon rritje të të ardhurave dhe një sistem më të drejtë të pensioneve për qytetarët, këto 9,000 biznese që kanë reaguar pozitivisht, kanë qenë për shumë vite pjesë e problematikës së informalitetit dhe shmangies tatimore. Pse vallë reaguan tani, pas një periudhe të gjatë evazioni?
Para se të bëjë presion mbi bizneset për deklarimin e pagave dhe formalizimin e ekonomisë, qeveria shqiptare duhet të luftojë informalitetin në sektorin e ndërtimit, një nga fushat më të prekura nga evazioni dhe shkeljet e ligjit. Ndërtimet informale, si ndërtimet pa leje ose ato që nuk respektojnë standardet e planifikimit urban, janë një problem sistematik që ka pasoja të drejtpërdrejta për zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve dhe mbrojtjen e mjedisit. Kjo është një problematikë që ka të bëjë me sigurinë e qytetarëve dhe funksionimin e infrastrukturës publike, dhe që krijon një shtresë të thellë informaliteti, e cila përkthehet edhe në humbje të të ardhurave për shtetin. Ju kujtojmë se para disa kohësh pa dijeninë e askujt, një pallat sjtatë katësh kishtëm mbirë në kryeqytet!
Ndërtimi i paautorizuar shpesh ndodh në zona të paspecifikuara dhe jashtë planifikimeve të miratuara, duke cenuar zhvillimin e një infrastrukture të qëndrueshme dhe të organizuar. Pavarësisht përpjekjeve për të rregulluar këtë fenomen, mungesa e kontrollit për arsye përfitimi dhe kapaciteteve të dobëta të inspektoratit ka bërë që shumë individë dhe kompani të ndjekin praktikën e ndërtimit informal për të shmangur tarifat dhe taksat që lidhen me legalizimin.