Si sot, një vit më parë, Shkodra dhe mbarë vendi u tronditën nga sakrifica heroike e kapiten Arben Anamalit, i cili humbi jetën duke shpëtuar turistët në Liqenin e Shkodrës. 51-vjeçari, kapiten i një prej anijeve turistike të Bashkisë së Shkodrës, u hodh në ndihmë të vizitorëve që ndodheshin në rrezik, duke arritur t’u shpëtonte jetën, ndërsa ai vetë nuk mundi të dilte i gjallë. Turistët shpëtuan pa probleme shëndetësore, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes u hetuan nga autoritetet.
Pas ngjarjes, forcat polumbare të FNSH-së, së bashku me punonjës të Bashkisë së Shkodrës, zhvilluan kërkime për gjetjen e trupit të kapitenit, ndërsa akti i tij u vlerësua gjerësisht si një shembull i rrallë guximi, përgjegjësie dhe vetëmohimi. Vetëm një ditë më vonë, më 10 korrik 2025, Arben Anamali u shpall “Dëshmor i Atdheut”, në nderim të sakrificës së tij në krye të detyrës.
Një vit më pas, kujtimi i Arben Anamalit mbetet i gjallë për familjen, kolegët dhe qytetarët. Sakrifica e tij vazhdon të kujtohet si një nga aktet më të mëdha të heroizmit civil në Shqipëri, duke lënë pas një shembull të jashtëzakonshëm humanizmi dhe përkushtimi, ku zgjodhi të shpëtonte jetën e të tjerëve me çmimin e jetës së tij.