Akuzohet për ngacmim seksual/ Guvernatori i New York njofton dorëheqjen

Akuzohet për ngacmim seksual/ Guvernatori i New…

Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo tha se do të japë dorëheqjen për shkak të serisë së akuzave për ngacmim seksual në një rënie spektakolare nga pika kulmore e karrierës së tij një vit më parë, kur u përshëndet gjerësisht në shkallë vendi për njoftimet e tij të hollësishme të përditshme dhe udhëheqjen gjatë ditëve më të errëta të COVID-19.

Vendimi i guvernatorit demokrat që ka shërbyer për tre mandate, i cili do të hyjë në fuqi pas dy javësh, u njoftua ndërsa po shtoheshin përpjekjet në legjislaturën e shtetit të Nju Jorkut për ta shkarkuar atë. Vendimi erdhi pasi Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut publikoi një javë më parë rezultatet e një hetimi që zbuloi se guvernatori Cuomo kishte ngacmuar seksualisht të paktën 11 gra.

Hetuesit thanë se ai i detyronte gratë për puthje të padëshiruara; i prekte në mënyrë të papërshtatshme; bënte batuta për pamjen e tyre dhe jetën e tyre seksuale; dhe krijoi një mjedis pune “të mbizotëruar nga frikë dhe kërcënimi”.

Mënyra më e mirë që mund të ndihmoj tani është të tërhiqem mënjanë dhe të lejojë qeverinë t’i kthehet punës,” tha zoti Cuomo në një konferencë shtypi.

Zëvendës-guvernatorja Kathy Hochul, një 62-vjeçare demokrate dhe ish-anëtare e Kongresit nga zona e Bufalos, do të bëhet guvernatorja e 57-të e shtetit dhe gruaja e parë që mban këtë post.

Skandali i epokës #MeToo ndërpreu jo vetëm një karrierë politike, por një dinasti: babai i Cuomos, Mario Cuomo, ishte guvernator në vitet 1980 dhe ’90, dhe Andrew Cuomo shpesh përmendej si një kandidat i mundshëm për president, një post që babai i tij i famshëm mendonte të kërkonte. Edhe pse skandali u zgjerua, Cuomo po planifikonte të kandidonte për t’u rizgjedhur në vitin 2022.

Cuomo ende përballet me mundësinë e akuzave penale, me një numër prokurorësh në të gjithë shtetin e Nju Jorkut që kërkojnë ta hetojnë atë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit