Reperi i njohur dhe fitues i çmimit Grammy, Lil Durk, është arrestuar në Florida pasi akuzohet se ka orkestruar dhe porositur vrasjen e reperit Quando Rondo, në një incident që përfundoi me vrasjen e kushëririt të këtij të fundit në vitin 2022.
Lil Durk, 32 vjeç, emri i vërtetë i të cilit është Durk Banks, akuzohet për ‘konspiracion për vrasje me pagesë’ në lidhje me vrasjen e Saviay’a Robinson, 24 vjeç, i cili u qëllua për vdekje më 19 gusht të 2022, sipas një dokumenti të FBI-së. Pesë anëtarë të tjerë të grupit të tij muzikor “Only the Family (OTF)” gjithashtu janë prangosur, ndërsa priten të tjera arrestime.
Agjentja e FBI-së, Sarah Corcoran, deklaroi se anëtarët e grupit OTF kryejnë akte dhune “me urdhër të Banks për të ruajtur statusin e tyre.” FBI konfirmoi se Lil Durk ishte arrestuar teksa po përpiqej të largohej nga SHBA përmes një fluturimi privat për në Itali.
Ngjarja rrjedh nga një incident më i hershëm në vitin 2020, kur reperi i OTF, King Von, u vra pas një konflikti me Rondo në Atlanta. Sipas autoriteteve, Durk kishte vendosur një “shpërblim” për cilindo që do të eliminonte fizikisht Rondo-n.
Më 18 gusht 2022, bashkëpunëtorët e Durk udhëtuan nga Çikago në Los Anxhelos me fonde të siguruara prej tij. Një nga ndihmësit e tij të ngushtë, Kayon Grant, u sigurua për maskat, makinat dhe armët, përfshirë një armë të konvertuar në automatik. Ata ndoqën Rondo dhe Robinson në disa pika përpara se t’i sulmonin pranë një karburanti.
Pas sulmit, grupi u kthye në Çikago, ku u paguan për aktin e kryer. Grant, Jones, Lindsey, Wilson dhe Houston u arrestuan të enjten në Çikago për konspiracion për vrasje të porositur.
Pas arrestimeve, kryetarja e Bashkisë së Broadview, Katrina Thompson, hoqi çelësin e nderit që i kishte dhënë Durk-ut, duke përmendur se “partnerët publikë duhet të përfaqësojnë standardet e larta morale të qytetit.”
