
Një aksident i rëndë është shënuar mesditën e sotme në zonën e Qafë-Burrelit, në Klos, ku një masiv minerali kromi është shembur, duke marrë me vete një fadromë dhe drejtuesin e saj, një i ri që ishte duke punuar në vendin e ngjarjes.
Sipas të dhënave paraprake, masivi ishte formuar nga mbetjet minerare të grumbulluara gjatë përpunimit të kromit të varfër në një fabrikë të zonës. Si pasojë e rrëshqitjes, është çarë edhe një rezervuar i madh me ujë i krijuar nga mbetjet teknologjike të përpunimit, duke përfshirë makinën dhe drejtuesin e saj.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, ndërsa banorë të zonës janë angazhuar në përpjekjet për të gjetur drejtuesin e mjetit, i cili dyshohet se është zhdukur nën rrënoja apo është tërhequr nga masa ujore.
Fabrika ku ndodhi ngjarja, sipas informacioneve, ishte marrë me qira vetëm pak muaj më parë nga dy shtetas kinezë. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e shembjes dhe përgjegjësitë ligjore të mundshme.