Alarm për bomba në Itali, evakuohen mbi 300 shkolla në disa qytete

Alarm për bomba në Itali, evakuohen mbi…

Mbi 300 shkolla në Itali janë evakuuar këtë të mërkurë pas një vale kërcënimesh për sulme me bomba, të dërguara përmes email-it në orët e para të mëngjesit. Mesazhet kërcënuese, të mbërritura rreth orës 09:50, kanë shkaktuar panik dhe kanë detyruar autoritetet të ndërpresin mësimin dhe të largojnë nxënësit e personelin nga ambientet shkollore.

Sipas mediave italiane, alarmet kanë prekur disa prej qyteteve kryesore të vendit, përfshirë Romën, Milanon, Torinon, Napolin, Bolonjën, Venecian dhe Palermon.

Në email-in kërcënues, dërguesi pretendonte se kishte vendosur bomba të telekomanduara në ndërtesat e shkollave, të cilat mund të shpërthenin në distancë. Në mesazh përfshiheshin gjithashtu kërcënime ndaj kryeministres Giorgia Meloni, duke pretenduar se një pajisje shpërthyese ishte vendosur edhe në automjetin e saj.

Pas alarmit, policia dhe karabinierët, në bashkëpunim me ekspertët e çaktivizimit të bombave dhe policinë postare, kanë nisur kontrollet në institucionet e prekura, ndërsa hetimet janë përqendruar në identifikimin e autorit dhe verifikimin e autenticitetit të kërcënimeve.

Meloni mbledh drejtuesit e sigurisë në orën 16:00

Përballë situatës, kryeministrja Giorgia Meloni ka thirrur një mbledhje urgjente në orën 16:00 në Palazzo Chigi, selinë e qeverisë italiane, për të vlerësuar zhvillimet dhe për të koordinuar reagimin e institucioneve.

Në takim pritet të marrin pjesë zëvendëskryeministrat Matteo Salvini dhe Antonio Tajani, ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi, ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto, si dhe drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës dhe Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike.

Hetimet: Dyshime për një fushatë të koordinuar

Mesazhi kërcënues ishte nënshkruar me emrin “Mikhail Andropov”, i cili prezantohej si drejtues i një grupimi të quajtur “Vilayat of Misoginistan”. Përmbajtja e tij përfshinte edhe kërcënime të rënda për akte dhune.

Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që bëhet fjalë për një fushatë të koordinuar, ku janë përdorur teknika të falsifikimit të adresave të email-it për të krijuar përshtypjen e një kërcënimi masiv.

Edhe pse deri tani alarmet janë cilësuar nga mediat italiane si kërcënime të rreme, kontrollet në shkolla vijojnë për të përjashtuar çdo rrezik. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që numri i institucioneve të synuara të jetë më i madh se ai i raportuar deri më tani.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit