Alarm për sigurinë ushqimore, tërhiqet nga tregu miksi i perimeve të ngrira

Alarm për sigurinë ushqimore, tërhiqet nga tregu…

Autoritetet europiane kanë ngritur alarmin për sigurinë ushqimore pas identifikimit të një rreziku të mundshëm në një produkt perimesh të ngrira me origjinë nga Italia.

Bëhet fjalë për produktin “MINESTRONE 16 Verdure”, në paketim 750 gram, me numër loti L03DK dhe afat përdorimi deri më 30 qershor 2028. Produkti është urdhëruar të tërhiqet nga tregu pasi një konsumator ka raportuar gjetjen e një trupi të huaj brenda paketimit.

Rasti është raportuar në Sistemin Europian të Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin e Kafshëve (RASFF), i cili e ka klasifikuar situatën si një rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve.

Në Shqipëri, produkti është importuar më 14 maj 2026 dhe është shpërndarë në dy pika shitjeje në Tiranë. Sipas informacionit të bërë publik, në momentin e njoftimit për tërheqjen nga tregu, e gjithë sasia e këtij produkti ishte shitur.

Qytetarët që e kanë blerë këtë produkt këshillohen të mos e konsumojnë dhe ta dorëzojnë pranë pikës së blerjes.

Rastet e sinjalizimeve për produkte ushqimore të importuara që mund të paraqesin rrezik për shëndetin vijojnë të jenë në vëmendje të autoriteteve të kontrollit ushqimor.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit