
Ekspertët e shëndetësisë në Britaninë e Madhe kanë dhënë alarmin për rrezikun e mundshëm që vjen nga injeksionet për humbje peshe, pas raportimeve për mbi 560 raste të pankreasit të inflamuar dhe vdekjes së të paktën 10 personave që kanë përdorur këto medikamente.
Agjencia britanike për barnat dhe produktet shëndetësore (MHRA) ka nisur një hetim për të kuptuar nëse ekziston një lidhje midis përdorimit të barnave si Mounjaro, Wegovy dhe Ozempic dhe zhvillimit të pancreatitit akut, një sëmundje që shkakton dhimbje të forta në bark, shpesh me përhapje në shpinë.
Dyshohet se disa pacientë mund të jenë më të rrezikuar për shkak të një predispozite gjenetike, dhe për këtë arsye, autoritetet kanë nisur një studim në bashkëpunim me Genomics England për të analizuar nëse gjenetika luan rol në zhvillimin e këtij efekti anësor të rëndë.
Pacientët që janë shtruar në spital për shkak të pankreatitit pas përdorimit të këtyre injeksioneve po ftohen të dërgojnë raportime përmes skemës “Yellow Card” dhe të japin mostra për analiza të ADN-së.
Sipas të dhënave zyrtare janë raportuar 181 raste të pankreatitit akut dhe kronik nga një përbërës aktiv në një nga injeksionet, si dhe janë raportuar gjithashtu 113 raste të tjera nga përbërës të përdorur në dy marka të tjera të GLP-1 injeksioneve.
Dr. Alison Cave, nga MHRA, deklaroi se rreth një e treta e efekteve anësore mund të parandalohen nëse përdoret testimi gjenetik përpara përshkrimit të këtyre barnave.
Ndërkohë, efektet anësore pritet t’i kushtojnë NHS mbi 2.2 miliardë paund në vit vetëm për shtrimet në spital.
Injeksionet GLP-1 janë bërë mjaft popullore kohët e fundit, sidomos mes personazheve të njohur dhe influencerëve, ndonëse në thelb janë të krijuara për të ndihmuar pacientët me diabet tip 2 të kontrollojnë sheqerin në gjak.
Efekte të tjera anësore që janë raportuar përfshijnë të përziera, kapsllëk dhe diarre.
Kompania “Novo Nordisk” deklaron se siguria e pacientëve është prioritet dhe se barnat duhet përdorur vetëm për indikacionet e aprovuara, nën mbikëqyrjen e mjekëve. Edhe kompania “Lilly”, prodhuese e Mounjaro-s, thekson se inflamacioni i pankreasit është efekt anësor i rrallë, por pacientët duhet të konsultohen me mjekun për çdo shqetësim.