
Rripi i Gazës po përballet me një krizë humanitare ekstreme, teksa bllokada totale nga Izraeli ka hyrë në ditën e saj të 60-të. Ushqimi dhe uji janë zhdukur, ndërsa dhuna mes civilëve është në rritje.
Olga Cherevko, zyrtare e OKB-së, raportoi nga qyteti i Gazës se përleshjet për furnizimet janë bërë të përditshme. “Sapo mbërriti një kamion uji dhe njerëzit po vrasin njëri-tjetrin për një pikë ujë,” deklaroi ajo gjatë një konference në Gjenevë.
Sipas OKB-së dhe organizatave të ndihmës, grabitjet janë shtuar dhe kuzhinat popullore rrezikojnë të mbyllen, pasi furnizimet kanë mbaruar. Kjo është bllokada më e gjatë që ka përjetuar ndonjëherë Gaza, duke lënë 2.3 milionë banorë pa qasje në ndihma jetike.
Kryqi i Kuq paralajmëroi se reagimi humanitar ndodhet në prag të kolapsit total, ndërsa thirrjet për ndërhyrje urgjente po bëhen gjithnjë e më të forta.