Albana Fico largohet nga drejtimi i QSUT

Albana Fico largohet nga drejtimi i QSUT

Albana Fico është larguar nga drejtimi i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Nuk dihet ende arsyeja e largimit të Albana Ficos nga ky post. Albana Fico e mbante këtë post nga dhjetori i 2021. Ajo u emërua në krye të QSUT pas largimit nga drejtimi të Enkelejd Jotit. Largimi i saj vjen në kohën kur QSUT është përfshirë nga zjarri në urgjencën e re dhe kjo mendohet të jetë edhe arsyeja pse Rama e hoqi nga ky post.

Opozita ka akuzuar Ficon për skandalin, kurse deputetët e PD nuk u lejuan të hetojnë më tej këtë ngjarje të rëndë. Kreu i opozitës, Sali Berisha, tha se Edi Rama e mori në mbrojtje Ficon, pasi kjo e fundit është motra e ish-partneres së tij.

Urgjenca në spitalin e sëmundjeve të brendshme në QSUT është jashtë funksionit prej 11 shkurtit, kur në katin -1 të saj ra një zjarr. Shkaqet e zjarrit po hetohen nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa drejtoria nuk mori masa pas ngjarjes për menaxhimin pa vonesa të urgjencave. 44 ditë që nga rënia e zjarrit, qytetarët sorollaten, teksa u vonohet ndihma e shpejtë.

50 deri në 60 raste në 24 orë dërgohen tek Urgjenca e Traumës, pasi nuk marrin shërbimin tek Urgjenca e Sëmundjeve të Brendshme. Shërbimi i Urgjencës është pjesë integrale e Spitalit të Ri të Sëmundjeve të Brendshme. Godina 7-katëshe u mor në dorëzim nga Ministria e Shëndetësisë vetëm pak muaj më parë.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar më herët se Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme (dhe Urgjenca e Re) përbëjnë investimin më serioz në Shëndetësi në 30 vitet e fundit. Investimi për Spitalin e Ri në Qendrën Spitalore Universitare ka kushtuar rreth 17 milionë euro. Nga kjo vlerë, më shumë se 11 milionë euro janë shpenzuar për godinën dhe pjesa tjetër për aparatura spitalore.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit