Aleanca LGBT reagon për formularin Prindi 1 dhe Prindi 2: Nuk jemi në dijeni, s’kemi informacion

Aleanca LGBT reagon për formularin Prindi 1…

Aleanca LGBT dhe Pro LGBT kanë reaguar përmes një njoftimi për mediat në lidhje me formularin e shpërndarë në media.

Një formular i bërë publik në media, ku thuhej se ky formular ishte shpërndarë në çerdhet e Tiranës ndezi shumë debate në rrjet. Në formular ishte vendosur përkrahe termit nënë dhe baba edhe termi Prindi 1 dhe Prindi 2, një temë e cila më herët shkaktoi shumë debate. Ishte pastori Akil Pano i cili e kishte shpërndarë gjithashtu këtë formular, duke e cilësuar si një rrezik për shoqërinë. Aleanca LGBT dhe pastori Akil Pano kanë pasur edhe më herët përplasje për këtë temë.

Reagimi i plotë i Alencës LGBT:

Aleanca LGBT dhe Pro LGBT detyrohen të informojnë publikun lidhur me pavërtetësinë e lajmeve të publikuara në media gjatë dy ditëve të fundit. Ne nuk kemi asnjë informacion lidhur me formularin që pretendohet se është shpërndarë në kopshte të Tiranës, ku amësia dhe atësia përcaktohen mes opsioneve prindi 1 dhe 2. Ne si organizata ndajme të njëjtin kuriozitet për të ditur çfarë përmban ai formular, kush e ka hartuar, kur është shpërndarë dhe çfarë të dhënash synon të mbledhë. Për sa kohë nuk dimë absolutisht më tepër se kaq, pyesim!

Nuk e dimë nëse këtë informacion duhet të na e vendosin në dispozicion priftërinjtë apo mediat në funksion të tyre.

Mungesa e profesionalitetit të medias në këtë rast është jashtë çdo standardi të gazetarisë etike dhe nuk ka asnjë funksion përveç montimit të informacionit për konsum publik pa asnjë filtër.

Kërkojmë nga media dhe gazetarët të distancohen nga kjo praktikë e papranueshme dhe të luajnë rolin e tyre investigues e informues, të pavarur dhe të pandikuar, në vend që të kthehen në burim keqinformimi dhe shpifjeje, duke na përballur padrejtësisht e për të disatën herë me valë të stisura urrejtjeje.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit