Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: Çfarë fshihet pas tjetërsimit të truallit

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: Çfarë fshihet…

Pas vendimit të qeverisë për të kaluar në pronësi të bashkisë truallin e Teatrit Kombëtar ka reaguar Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Ajo thotë se manovra është shumë e qartë, pasi “po tentohet të miratohet shembja me anë të Këshillit Bashkiak” i cili kontrollohet totalisht nga një dorë.

“Pasi dështuan me ligjin special (që e bënë në Parlament me qëllimin për t’iu shmangur përgjegjësisë penale), prapë nuk guxojnë ta miratojnë përmes Ministrisë së Kulturës, por ia kalojnë Bashkisë Tiranë e cila të procedojë përmes Këshillit Bashkiak si organ kolegjial. Sa frikë kanë! Harrojnë se me krijimin e Gjykatës Kushtetuese zgjedhjet anti-kushtetuese të 30 Qershorit 2019 do të rrëzohen bashkë me Këshillat kukulla.

Teatri Kombëtar i një shteti, pronë e një njësie vendore – as parë e as e dëgjuar! Qeveria ia transferon Bashkisë për plaçkë që ta alokojë si borxh dhe mos i llogaritet Buxhetit të Shtetit. Duan ta shtojnë te lista e borxheve që të paguajnë qytetarët e Tiranës, krim i disafishtë!” – thuhet në deklaratën e Aleancës së Mbrojtjes së Teatrit.

“Prej 24 marsit 2020 Teatri Kombëtar është zyrtarisht pjesë e listës së Europa Nostra me “7 vendndodhjet më të rrezikuara në Europë”. Ekspertët e Europa Nostra priten në harkun e pak ditëve të vijnë dhe të merren me mundësitë për restaurimin e plotë të tij dhe ky restaurim do të ndodhë nëse e duan ose jo mafiozët në pushtet.

Vullneti i Europës është i qartë, i shprehur nga Komisionerja për Kulturën dhe direkt nga Komisioni Europian. Europa Nostra që prej 2013-tës ka shpëtuar 24 site kulturore nga shembja dhe shuarja përfundimtare. Deri më sot nuk ka ndodhur që ndonjë nga ato të shembet – e kush ka forcë të luftojë kundër këtij vullneti?!” – thuhet në deklaratë.

Aleanca u bën thirrje qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë mbështetësve të kauzës së Teatrit që t’i bashkohen nismës për mbrojtjen e Teatrit dhe për të zmbrapsur këtë plan të ri dhune për shkatërrimin e Teatrit. /Lapsi.al

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit