Aleanca për mbrojtjen e Teatrit kërkesë Avokates së Popullit: Nisni një proces administrativ, qeveria ka shkelur ligjin

Aleanca për mbrojtjen e Teatrit kërkesë Avokates…

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i bën thirrje Avokates së Popullit të nisë një proces administrativ, pasi qeveria ka shkelur ligjin me kalimin e truallit të Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Në vëmendjen e Avokates së Popullit, publikut dhe gazetarëve :

DREJTUAR : AVOKATIT TË POPULLI TË REPUBLIKËS SË
SHQIPËRISË, ZNJ. BALLANCA.

KËRKESË :

Kërkojmë nga Institucioni i Avokatit të Popullit nisjen e një procesi administrativ dhe daljen me rekomandim për vënien në vend të së drejtës së shkelur nga organi administrativ (në këtë rast nga organi qëndror i administratës publike që është Këshilli i Ministrave) për korigjimin e shkeljeve të të drejtave tona që vijnë nga vendimarrja e VKM-së Nr. 377, datë 08.05.2020 “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë Nr. 1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë.”

E nderuar Znj. Ballanca,

Ashtu siç jeni në dijeni prej 27 muajsh shteti është angazhuar me çdo mënyrë për të shembur godinën e Teatrit Kombëtar. Kuvendi i Shqipërisë në datën 05 korrik 2018 miratoi ligjin nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, duke përzgjedhur kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë me ligj, të bashkëpunojë me shoqërinë propozuese “Fusha” sh.p.k Tiranë. Në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, Presidenti i Republikës çmoi se ky ligj, i paraqitur për shpallje, nuk ishte në përputhje me parimet kushtetuese, aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë aderon apo që ka ratifikuar; gjithashtu fryma e këtij ligji shkon në kundërshtim me sistemin ligjor aktual, mbi të cilin zhvillohet shoqëria shqiptare. (shih arsyet e dekretit të Presidentit të Republikës nr. 10849, datë 27.07.2018).

Edhe ligji nr. 37/2018, miratuar në datë 20.09.2018, paraqiste sërish probleme kushtetuese, pasi në thelb dispozitat e tij përmbajnë kushte dhe kritere diskriminuese që nuk garantojnë konkurrencën e lirë dhe të ndershme, por përkundrazi, ato bëjnë një trajtim preferencial që kufizojnë pjesëmarrjen në garë dhe që diktojnë paraprakisht fituesin. Edhe pse kjo është e vetmja çështje e shqyrtuar nga Kuvendi, sërish parashikimet e reja ligjore nuk e zgjidhnin situatën antikushtetuese të konstatuar nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij të mëparshëm nr.10849, datë 27.07.2018.

Në përfundim të shqyrtimit Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në ushtrim të së drejtës të parashikuar në nenin 84 dhe 85 pika 1 të saj, me Dekretin nr.10908, datë 11.10.2018, vendosi:
“Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018, datë 20.09.2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, pasi të gjitha argumentet që shoqëronin dekretin e Presidentit nr. 10849, datë 27.07.2018, ishin shqyrtuar objektivisht nga Kuvendi, dhe konstatimet në lidhje me pozitën antikushtetuese të këtij ligji mbeteshin sërish të njëjta, si në ligjin e mëparshëm.

Pikërisht kur u mendua se Qeveria ishte tërhequr nga projekti për prishjen e Teatrit Kombëtar pasi kishte rënë alibia se Teatri Kombëtar dhe trualli funksional po këmbeheshin me investimin e firmës private bazuar në një Ligj tërësisht antikushtetues, Këshilli Ministrave miraton VKM Nr. 377, datë 08.05.2020 “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë Nr. 1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë.”

Ne po rendisim disa nga arsyet se pse e kundërshtojmë VKM-në Nr.377 si akt administrativ por dhe si përmbajtje në shkelje të parimeve themelore kushtuese, por dhe në kundërshtim me dy Dekretat e Presidentit të Republikës, të cilat praktikisht e hodhën poshtë si antikushtetues Ligjin nr. 37/2018. Qëndrimi ynë, por dhe i Institucionit të Presidentit të Republikës mbetet i pandryshuar, pasi veprimet që çojnë në prishjen e Teatrit Kombëtar, mbeten antikushtetuese.

E kundërshtojmë këtë VKM për sa më poshtë:

Së pari, kjo VKM, vjen në kundërshtim me nenin 116 të Kushtetutës që përcakton hierarkin e normave juridike. Sipas kësaj dispozite, ligjet kanë epërsi mbi aktet normative të Këshillit të Ministrave që në këtë rast është VKM-ja Nr. 377, datë 08.05.2020 “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë Nr. 1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë.”.
Kështu në vitin 2010 është miratuar ligji Nr. 10352 për “Artin dhe Kulturën” nga Kuvendi i Shqipërisë. Në nenin 5 të këtij ligji ku flitet për institucionet e artit dhe kulturës dhe thuhet se:
1. Institucionet e artit dhe kulturës janë subjekte publike dhe private;
2. Institucionet publike të artit dhe kulturës ndahen në qendrore dhe vendore;
3. Në institucionet publike qendrore të artit dhe kulturës, subjekt i këtij ligji, përfshihen:
-Teatri Kombëtar;
-Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe Ansambli Popullor;
– Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë dhe Teatri i Kukullave;
-Qendra Kombëtare e Artit dhe Kulturës
-Cirku Kombëtar;
-Teatri Kombëtar i Komedisë.
4. Në institucionet publike vendore të artit dhe kulturës përfshihen institucionet e artit dhe kulturës, në varësi të njësisë së qeverisjes vendore.

Gjithashtu në nenin 7 “Drejtimi dhe funksionimi i institucioneve publike qendrore të artit dhe të kulturës”, pika 5 përcakton se:
“5. Institucioni ka stemën, vulën dhe selinë, të cilat përcaktohen në statut.”

Pra ky ligji e përcakton shumë qartë që Teatri Kombëtar është varësi direkte e pushtetit qendror, në këtë rast Ministrisë së Kulturës, si i tillë ai nuk mund të kalojë në varësi të njësive të qeverisjes vendore me asnjë akt tjetër përvecse me ligj. Kjo nuk mund të bëhet me një vendim të Këshillit të Ministrave, pasi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 116 të saj përcakton “Hirearkin e Normave” e VKM-të renditen më poshtë ligjeve dhe si te tilla nuk mund ti ndryshojnë ato apo mardhëniet që ligjet rrëgullojnë.

Së dyti, përpara Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në datën 18.07.2019 është paraqitur për gjykim kërkesa e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë me objekt:

“Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë së procesit zgjedhor të zhvilluar më 30 Qershor 2019 për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiake dhe, si rrjellojë, konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve në kundërshtimin me nenet e Kushtetutës së Shqipërisë”.

E theksojmë këtë pikë pasi ky Institucion, Bashkia Tiranë dhe Këshilli Bashkiak nuk mund të kenë legjitimitet të shprehen dhe marrin vendime në lidhje me prishjen e një godine që i përket pasurisë së Kombit, pra tagër që shtrihet përtej një qyteti dhe aq më shumë në kushtet kur ky institucion dhe këshilli janë në dilemë antikushtetutshmërie.

Sa më sipër, kërkojmë nga ju nisjen e një procesi administrativ dhe daljen me rekomandim për vënien në vend të së drejtës së shkelur nga organi administrativ (në këtë rast nga organi qëndror i administratës publike që është Këshilli i Ministrave) për korigjimin e shkeljeve të të drejtave tona që vijnë nga vendimarrja e VKM-së Nr. 377, datë 08.05.2020 “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë Nr. 1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë.”

Me Konsideratë,

Grup qytetarësh në Mbrojtje të Teatrit Kombëtar

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit