Publikohet fotoja e Aleksandër Koçekut, 40-vjeçarit që u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës në Dukagjin. Ndërsa hetimet vijojnë, policia ka përqendruar vëmendjen te një konflikt i hershëm familjar, që dyshohet se mund të ketë çuar në atentatin fatal.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, pista kryesore lidhet me ngjarjen e vitit 2017, kur Angjelin Shkambi mbeti i vrarë. Për atë krim u dënua Artan Koçeku, vëllai i viktimës së atentatit të fundit, çka ka ngritur dyshimet se ekzekutimi i Aleksandër Koçekut mund të jetë kryer për motive hakmarrjeje.
40-vjeçari u qëllua me breshëri automatiku në mbrëmjen e së shtunës, në fshatin Lin, përgjatë segmentit rrugor Kir–Prekal. Trupi i pajetë u gjet brenda automjetit të tij, pasi një banor i zonës vuri re makinën e dalë nga rruga dhe njoftoi menjëherë policinë.
Hetimet paraprake sugjerojnë se autorët i kishin zënë pritë Koçekut dhe ishin në dijeni të lëvizjeve të tij. Ata dyshohet se kanë zgjedhur me kujdes momentin kur ai po kalonte në këtë aks rrugor, e kanë qëlluar me armë automatike dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Për shkak se krimi ndodhi në një zonë të thellë malore, ku mungon mbulimi me kamera sigurie, hetuesit po mbështeten te analiza e tabulateve telefonike, komunikimeve të fundit të viktimës dhe provave të mbledhura në vendngjarje.
Grupi hetimor është rikthyer sërish në vendin e atentatit dhe pritet të marrë në pyetje familjarët e Aleksandër Koçekut, me synimin për të hedhur më shumë dritë mbi konfliktin e nisur në vitin 2017. Sipas dosjes hetimore të asaj kohe, Artan Koçeku kishte vrarë me armë zjarri Angjelin Shkambin pas një takimi mes tyre. Konflikti kishte në qendër një borxh prej 40 mijë eurosh, por edhe mosmarrëveshje personale mes dy familjeve.
Në vijim të hetimeve, policia po verifikon edhe persona të afërt dhe familjarë të Angjelin Shkambit, disa prej të cilëve jetojnë jashtë Shqipërisë, për të përcaktuar nëse atentati është organizuar si një akt hakmarrjeje.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Aleksandër Koçeku ishte i njohur për organet e rendit. Ai ishte verifikuar edhe në të kaluarën për ngjarje të tjera kriminale, mes tyre dyshime për sulme me armë zjarri dhe lëndë plasëse ndaj punonjësve të policisë.
Po ashtu, sipas të njëjtave burime, 40-vjeçari dyshohej se kishte lidhje edhe me kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Dukagjinit.
Policia vijon hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij atentati.