Në oborrin e mbretërisë ku koha matet me fasada që ndryshojnë ngjyrë dhe vendime që priten me ankthin e një seriali turk, kronika e ditëve të fundit na sjell sërish në qendër të vëmendjes dinastinë e familjes Soros, e cila prej vitesh ka pasur një rol kryesor në zhvillimet politike dhe shoqërore në Shqipëri.
Një takim mes kryeministrit Edi Rama dhe Alex Soros ka ngritur pikëpyetje mbi dy çështje që, sipas zërave që qarkullojnë në prapaskenë, janë diskutuar mes tyre.
Para së gjithash, bëhet fjalë për fatin e Erion Veliajt. Sipas zërave që qarkullojnë nëpër korridore, Soros ka kërkuar që të shqyrtohet mundësia e lirimit të tij, duke argumentuar se rikthimi i Veliajt nuk do t’i prishte gjumin kryeministrit dhe as do të trondiste themelet e Partisë Socialiste. Por kryeministri, me seriozitetin e një burrështetasi institucional, thuhet se ka prerë shkurt: drejtësia është e pavarur dhe nuk njeh ndërhyrje nga lart, një deklaratë që, në realitetin politik shqiptar, nuk kalon dot pa një dozë ironie.
Nga ana tjetër, episodi i dytë na çon në brigjet e Zvërnecit, atje ku ambiciet turistike lidhen me Jared Kushner dhe familjen Trump. Sipas të njëjtave zëra, Alex Soros ka diskutuar edhe për këtë projekt, duke propozuar largimin e Jared Kushner dhe Ivanka Trump dhe përfshirjen e një tjetër investitori. Përgjigjja e kryeministrit, sipas burimeve, ka qenë e prerë dhe e palëkundur: për projektin e Zvërnecit nuk ka më kthim mbrapa.
Këto lëvizje, megjithatë, ngrenë një pyetje të natyrshme: pse duhet që Alex Soros të interesohet për fatin e një ish-kryebashkiaku apo për investimet strategjike në bregdetin shqiptar? Për vite me radhë, familja Soros ka pasur një ndikim të konsiderueshëm në Shqipëri, veçanërisht përmes organizatave dhe nismave të ndryshme që shpesh kanë qenë në kundërshtim me ideologjitë konservatore shqiptare. Tani që stafeta ka kaluar te gjenerata e re, pikëpyetjet mbi kufijtë e këtij ndikimi vazhdojnë të mbeten.