Pas denoncimeve të JOQ, tenderi afro 50 milionë euro për hemodializën në pesë spitale rajonale është anuluar, duke i dhënë fund për momentin procedurës që do t’i rikthente në lojë biznesmenit Klodian Allajbeu një kontratë të re shumëvjeçare në shëndetësinë publike. Kompania “Diaverum AB”, e vetmja pjesëmarrëse në garë, ishte shpallur fituese me një ofertë prej 4.44 miliardë lekësh, rreth 97% e fondit limit. Procedura kishte ngritur pikëpyetje pikërisht për mungesën e konkurrencës dhe faktin se pas skemës së re të kontraktimit shfaqeshin sërish emra të lidhur me operatorin e mëparshëm të hemodializës.
Anulimi vjen bashkë me një tjetër lëvizje, largimin e Arisa Canes nga drejtimi i OSHIS dhe emërimin e Yllka Shetës në vend të saj. Cane kishte punuar më herët në Spitalin Amerikan, të lidhur me Allajbeun, ndërsa “Diaverum” lidhet me “DiaVita”, kompaninë që kishte zbatuar koncesionin e mëparshëm të hemodializës. Kjo përputhje kishte ushqyer dyshimet se, pavarësisht se koncesioni i vjetër po përfundon dhe shërbimi po kthehet nën administrimin e shtetit, paratë publike mund të përfundonin sërish te i njëjti rreth biznesi.
Tashmë, kontrata që po shkonte drejt firmosjes është bllokuar dhe Allajbeu mbetet pa kontratën e re 4-vjeçare prej afro 50 milionë eurosh. Por skandali nuk mbyllet me anulimin. Pyetja kryesore është se si një institucion i sapokrijuar si OSHIS arriti të zhvillojë një procedurë të tillë, me vetëm një ofertues dhe me vlerën e ofertës pothuajse të barabartë me fondin limit, përpara se Ministria e Shëndetësisë të ndërhynte në minutat e fundit. Tani pritet tenderi i ri, ndërsa mbetet për t’u parë nëse këtë herë do të ketë një garë reale apo thjesht një tjetër rrugë për të çuar paratë publike te të njëjtët përfitues.