Ambasadori gjerman flet për “zgjedhoren”, kritika mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë

Ambasadori gjerman flet për “zgjedhoren”, kritika mosfunksionimit…

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf reagon në lidhje me arritjen e konsensusit mes forcave politike në Shqipëri për reformën zgjedhore.

Zingraf thekson se kjo është një fazë inkurajuese për rrugëtimin e Shqipërisë drejt familjes së madhe Evropiane.

“Dakordësia e Këshillit Politik për elemente të reformës zgjedhore është një nxitje inkurajuese për rrugën e mëtejshme të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Gëzohem që aktorët politikë shqiptarë gjetën mundësinë e konsensusit. Zbatimi konstruktiv i masave të dakorduara do të jetë një gur tjetër i rëndësishëm kilometrazhi në rrugën e reformave në Shqipëri”, thekson Zingraf.

Por sipas tij tashmë me rëndësi mbetet edhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, si edhe asaj të Lartë.

“Vendit i nevojitet një frymë konstruktive dhe vetëdijësim lidhur me përgjegjësitë e marra edhe në funksion të përmbushjes së kushteve të mëtejshme të vendosura përpara etapave të radhës në kuadër të bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Në këtë kontekst kam parasysh në mënyrë të veçantë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë – këta vazhdojnë të mbeten elemente të rëndësishme në këndvështrimin gjerman, me rëndësi thelbësore para së gjithash për drejtësinë shqiptare dhe që duhen përmbushur përpara konferencës së parë të anëtarësimit”, e mbyll reagimin e tij kryediplomati gjerman në Tiranë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit