Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, ka theksuar rëndësinë e reformave të qëndrueshme dhe rezultateve konkrete për qytetarët në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Ajo deklaroi se perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të shoqërohet me ekonomi më të lidhura, dialog politik dhe mundësi që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen në vendet e tyre.
Duke iu referuar ambicies së Shqipërisë për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027, diplomatja e BE-së e cilësoi këtë një objektiv kërkues, që sipas saj kërkon angazhim politik, reforma të mëtejshme dhe zbatim efikas në të gjithë kapitujt e negociatave. “BE është mbështetësi juaj kryesor, por kredibiliteti dhe besueshmëria e kësaj ambicie do të varen nga arritjet”, u shpreh Moreira de Sousa.
Ambasadorja nënvizoi se procesi i integrimit evropian ka sjellë ndryshime në Shqipëri, ndërsa sfida e radhës është që përfitimet e reformave të ndihen më shumë nga qytetarët. Sipas saj, destinacioni i këtij procesi është më shumë se anëtarësimi në një organizatë, duke e lidhur atë me ndërtimin e një Evrope më të bashkuar dhe më rezistente ndaj kërcënimeve të së ardhmes.